Profesorët e UBT-së, Prof. Dr. Avni H. Alidemaj (Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike) dhe Prof. Dr. Alban Maliqi (Studimet e Sigurisë), organizuan një vizitë studimore për studentët e Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, në kuadër të lëndëve E Drejta Administrative, Politikat e Shtetit të Mirëqenies Sociale dhe Hyrje në Drejtësi.

Qëllimi i kësaj vizite ishte pajisja e studentëve me njohuri të drejtpërdrejta mbi aktivitetet, strukturën organizative dhe kompetencat kushtetuese e ligjore të Institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës, si dhe rolin e tij në funksionimin e sistemit shtetëror.
Studentët u mirëpritën nga Fehmi Mehmeti – Sekretar i Zyrës së Presidentës, Besim Kajtazi – Drejtor i Departamentit Ligjor , Dafina Syla-Drejtoreshë e Departamentit për Shërbime të Përbashkët, dhe Florent Rrahmani-Drejtor i Departamentit të Informimit , të cilët prezantuan detyrat kryesore, përgjegjësitë institucionale dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion në veçanti në aspektin administrativ.
UBT vazhdon me përkushtim të veçantë zbatimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies, me synim rritjen e cilësisë së mësimnxënies dhe ndërlidhjen e teorisë me praktikën. Vizitat studimore, hulumtimet e përbashkëta profesor-student, analizat e rasteve studimore dhe atyre hipotetike mbeten pjesë përbërëse e qasjes pedagogjike bashkëkohore që karakterizon këtë institucion të arsimit të lartë.