Studentët e Fakultetit të Menaxhmentit të Biznesit dhe Ekonomisë, si dhe të Administrimit të Biznesit të UBT-së në Pejë, kanë realizuar një vizitë studimore në fabrikën e kafesë të Kompanisë Devolli, si pjesë e lëndëve Menaxhimi i Markës dhe Produktit dhe Hyrje në Marketing, të drejtuara nga Prof. Mirjeta Domniku dhe Prof. Gonxhe Beqiri.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të shohin nga afër disa procese të rëndësishme të prodhimit dhe menaxhimit të markës, duke përfshirë: Procesin e prodhimit dhe paketimit të kafesë, ku u theksua roli i teknologjisë së avancuar dhe automatizimit për optimizimin e prodhimit dhe sigurinë e cilësisë. Aktivitetet e marketingut dhe promovimit, ku u diskutuan strategjitë për prezantimin dhe pozicionimin e produkteve në treg, duke u fokusuar në përdorimin e kanaleve moderne të promovimit dhe ndikimin e marketingut digjital. Dizajnimi dhe distribuimi i produkteve, ku u theksua rëndësia e përshtatjes së produkteve për tregje të ndryshme ndërkombëtare dhe kërkesat specifike të konsumatorëve.
Studentët patën mundësinë të vizitojnë departamentet e prodhimit dhe dizajnit, duke parë nga afër përdorimin e proceseve të digjitalizuara dhe inovative. Ata u informuan gjithashtu për qasjen strategjike të kompanisë në menaxhimin e markës dhe rëndësinë e përshtatjes së produkteve sipas preferencave të konsumatorëve, duke ndihmuar kështu në përmirësimin e konkurrencës dhe pozicionimit të kompanisë në treg.
Kjo vizitë ofroi një përvojë praktike të vlefshme për studentët, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë sfidat dhe mundësitë që ofron industria e prodhimit të kafesë dhe marketingut, dhe të lidhin teorinë me praktikën në një sektor shumë të dinamik dhe konkurrues./UBTNews/