UBT News

Studentët e Sistemeve të Informacionit të UBT-së vizitojnë kompanitë e mëdha për të mësuar mbi zbatimin e teknologjisë në biznes

Studentët e Fakultetit të Sistemeve të Informacionit, në kuadër të Akademisë Verore, Global UBT Fest 2024, realizuan një vizitë informuese në tri kompani të rëndësishme: SACH Corporation, Gastronomix dhe Institutin Profesional për Gastronomi dhe Hoteleri. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja e studentëve me sistemet e informacionit të përdorura në këto kompani të njohura.

Vizita u udhëhoq nga profesori Agim Zuzaku, i cili theksoi rolin kyç të sistemeve të informacionit në menaxhimin efikas të proceseve dhe të dhënave brenda kompanive private në Kosovë.

Në kompaninë Gastronomix, prezantimi u mbajt nga studenti i UBT-së, Elion Brada, i cili aktualisht punon si përgjegjës i sistemeve të informacionit në këtë kompani. Ky bashkëpunim i suksesshëm midis UBT dhe Gastronomix-it demonstroi mundësitë që krijohen për studentët e UBT-së.

SACH Corporation, me 18 pika në Kosovë, 4 në Maqedoninë e Veriut dhe 1 në Shqipëri, përdor një sistem të informacionit shumë të avancuar për menaxhimin e operacioneve të saj. Studentët mësuan nga afër për efikasitetin e këtyre sistemeve.

Gjatë vizitës, studentët u informuan edhe për rolin e sistemeve të informacionit në sektorin e prodhimit. Vlora Dajaku, udhëheqëse e cilësisë, i informoi ata për gjurmimin e prodhimeve përmes këtyre sistemeve, duke theksuar rëndësinë e tyre në ruajtjen e standardeve të larta të cilësisë.

Vizita u cilësua si shumë e rëndësishme nga studentët, pasi u mundësoi atyre të shohin nga afër funksionimin e sistemeve të informacionit në kompanitë private, duke e konsideruar këtë përvojë si të vlefshme për formimin e tyre profesional dhe të ardhmen në fushën e Sistemeve të Informacionit.

Exit mobile version