Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Psikologjisë, në kuadër të aktiviteteve praktike dhe nën mbikëqyrjen e Prof. Violeta Zefi, realizuan një vizitë studimore në qendrën psikologjike “Radix” dhe Asociacionin Kosovar për Psikoterapi Trupore, në Prishtinë.
Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë që të bashkëbisedojnë nga afër me psikologun klinik, Arber Zeka, i cili gjithashtu është udhëheqes i të dy institucioneve, ndërsa pjesë e bashkëbisedimit ishin dhe psikologet Behare Bojaxhiu, Urtina Hajdini Sopa dhe Vlera Bokshi Ukmata. Bashkëbisedimi u fokusua në psikoterapine trupore, rolin e trupit dhe emocioneve në terapi, marrëdhënien e ndërlikuar midis traumës dhe trupit.
Ky lloj ekspozimi i punës praktike për studentët është shumë i dobishëm për cilësinë e studimeve të tyre dhe karrierën e ardhshme profesionale në fushën e psikologjisë. Fakulteti i Psikologjisë vazhdon të mbështesë iniciativa të tilla që krijojnë ura mes teorisë dhe praktikës, duke e konsideruar edukimin praktik si një komponent kyç në përgatitjen e psikologëve të ardhshëm.