Studentët e vitit të tretë të programit Inxhinieri e Energjisë Efiçiente në UBT, në kuadër të lëndës “Menaxhimi i rrjedhës së materialeve”, të udhëhequr nga profesoresha Afete Musliu, kanë realizuar një vizitë studimore në Impiantin e ngrohjes me Biomasë në Gjakovë, i cili impiant mbulon 35 për qind të kapacitetit ekzistues të ngrohjes qendrore në qytet, duke shfrytëzuar biomasën, me synime të rritjes së kapacitetit në vitet në vijim.
Studentët e UBT-së u mirëpritën nga menaxhmenti i kryesuar nga Albulena Skivjani, Arben Meka, Adrian Bunjaku dhe stafi operativ, të cilët i njoftuan studentët për procesin e prodhimit hap pas hapi, në mënyrë të detajuar, duke demonstruar analizat dhe kontrollin e cilësisë gjatë procesit të prodhimit.
Ndër të tjera, studentët patën mundësinë që të njoftohen me proceset e prodhimit të biomasës, duke përfshirë lëndën e parë, analizimin e lëndës duke përcaktuar llojin dhe lagështinë, si dhe përpunimin e saj deri në përfundim të procesit dhe përfitimin e biomasës si produkt final.