Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT kanë vazhduar me ligjëratat e përbashkëta me studentët nga Universiteti i IOWA-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të lëndës “Mjedisi Biznesor Ndërkombëtar”.
Ligjëratat janë udhëhequr nga Prof. Erin Johnson dhe Prof. Enver Krasniqi dhe janë zhvilluar në formë online, duke ofruar një përvojë ndërkulturore dhe akademike të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit.
Kjo është gjenerata e shtatë me radhë që merr pjesë në këtë bashkëpunim, ku studentët kanë pasur qasje në platformën akademike të Universitetit të IOWA-s, përmes së cilës kanë punuar në detyra, diskutime dhe aktivitete të tjera relevante që kontribuojnë në certifikimin e tyre nga ky program.
Gjatë ligjëratave, studentët nga të dy universitetet kanë bashkëpunuar në grupe, duke treguar angazhim dhe performancë të jashtëzakonshme në prezantimet e tyre. Temat e trajtuara filluan me prezantime ndërkulturore për jetën studentore në IOWA dhe në UBT, duke krijuar një ambient bashkëpunues dhe të hapur për shkëmbim përvojash.
Në përfundim të ciklit të ligjëratave, secili grup përgatiti dhe prezantoi një infografik për një produkt ose shërbim që aktualisht mungon në njërën nga vendet, por që do të kishte potencial suksesi në tregun tjetër. Prezantimet e dhjetë grupeve u vlerësuan si shumë të suksesshme dhe përmbushën të gjitha objektivat e sesioneve të përbashkëta, duke reflektuar një nivel të lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të aftësive të fituara nga studentët.