Në vazhdën e vizitave studimore, departamenti Media dhe Komunikim në UBT e ka realizuar edhe një vizitë tjetër.
Të mentoruar nga zyrtarja e UBT-së, Albina Zeneli, studentët e Vitit të Parë patën mundësi të ishin në ambientet e punës së Këshillit të Mediave të Shkruara.
Z. Qerim Hondozi i cili është zëdhënës i kësaj organizate u shpjegoi studentëve më shumë rreth rolit të KMShK si dhe rastet e shumta që kjo organizatë trajton me qëllimin e vetëm që t’i “mbrojë” gazetarët nga shkeljet etike.
Ligjerata në fjalë u shndërrua në diskutim të gjerë, ku dhe studentët kishin mundësi të parashtronin pyetjet dhe temat për të cilat patën interes t’i mësonin.
Përndryshe, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është organizatë joqeveritare e regjistruar e mediave të shkruara të Kosovës, ku bëjnë pjesë gazetat e përditshme, portalet e lajmeve, gazetat periodike, revistat dhe agjencitë e lajmeve, që kryesisht merret me zbatimin e Kodit të Mirësjelljes së Mediave të Shkruara të Kosovës nga të gjithë anëtarët e saj dhe jo anëtarët, përcjelljen e zbatimit të standardeve për gazetarinë e shkruar në Kosovë, angazhimin për lirinë e shtypit dhe informimit të lirë, udhëheqjen e pasurisë së vet, të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe bashkëpunimin me organizatat e mediave në vend dhe ato ndërkombëtare.
Ky këshill ka një rol të rëndësishëm në sigurimin e etikës gazetareske, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ndihmimin në promovimin e një informacioni të saktë, të besueshëm dhe të paanshëm.
Në disa raste, këshillat e mediave të shkruara mund të jenë të lidhura me organizata të tjera të mediave, si asociatat e gazetarëve, ose mund të jenë organe të pavarura që mbikëqyrin dhe promovojnë transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e medias.