Studentët e Fakultetit Juridik në UBT, në kuadër të lëndëve “Shkrimi Ligjor, Teoria dhe Praktika Parlamentare”, nën udhëheqjen e profesorëve: Mervete Shala dhe Xhavit Shala, kanë realizuar një vizitë studimore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Studentët u pritën nga zyrtarët e lartë për marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës, të cilët i informuan për organizimin, punën dhe funksionimin e Kuvendit, për procedurën legjisltative, shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre, për punën në përgjithësi të komisioneve parlamentare, duke i përforcuar në praktikë njohuritë e fituara përgjatë lëndëve teorike.
Në kuadër të kësaj vizite u zhvillua një debat për rolin dhe rëndësinë e votës, hartimin e legjislacionit, vendimmarrjes dhe aktivizmit të qytetarëve në zhvillimin e politikave zhvillimore dhe mbrojtja e interesave kombëtare. Gjatë vizitës, studentët patën mundësi të shohin mjediset e ndryshme të punës së Kuvendit, nga afër sallat ku mbahen mbledhjet plenare, si dhe mbledhjet e komisioneve.