UBT News

Studentët e Juridikut në UBT-Prizren realizojnë gjykim të simuluar në kuadër të “Klinikës Ligjore”

Në kuadër të lëndës “Klinika Ligjore”, studentët e Fakultetit Juridik në UBT, kampusi në Prizren, nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Merita Muharremit, realizuan me sukses një gjykim të simuluar me fokus në procedurat civile. Ky aktivitet kishte për qëllim të lidhte njohuritë teorike me praktikën, duke krijuar një përvojë unike për studentët.

Gjatë simulimit, studentët trajtuan një kontest martese mbi zgjidhjen e saj, duke punuar në grupe në Gjykatoren e UBT-së në Prizren. Në këtë proces, ata interpretuan rolet e gjyqtarëve, avokatëve dhe palëve të tjera të përfshira në një gjykim civil. Aktiviteti përfshiu të gjitha fazat e procesit gjyqësor, nga paraqitja e kërkesave deri te vendimi përfundimtar, duke demonstruar profesionalizëm dhe aftësi të shkëlqyera.

Kjo iniciativë e Fakultetit Juridik të UBT-së dëshmon përkushtimin ndaj integrimit të metodave inovative të mësimdhënies, duke ndërtuar ura të fuqishme midis teorisë dhe praktikës. Përmes aktiviteteve të tilla, studentët pajisen me kompetencat dhe përgatitjen e duhur për sfidat që i presin në karrierën e tyre si profesionistë të drejtësisë.

UBT mbetet një lider në promovimin e arsimit cilësor dhe ofrimin e mundësive praktike për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe për të qenë liderë të suksesshëm në fushën e drejtësisë./UBTNews/ 

Exit mobile version