Studentët e vitit të tretë të Inxhinierisë së Agrikulturës dhe Mjedisit në UBT, në kuadër të lëndëve: “Menaxhimi i projekteve në Agrokulturë dhe Mjedis” dhe “Menaxhimi dhe mbrojtja e tokave”, të udhëhequr nga profesorët: Afete Musliu, Besa Veseli dhe Vezir Januzi kanë vizituar Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjatë kësaj vizite studentët janë pritur nga zyrtarët e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural: Lulzim Shamolli, Nysrete Doda dhe Bajram Imeri, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë në këtë departament.
Studentët u informuan për së afërmi për përgatitjen, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e programit vjetor dhe afatgjatë të Zhvillimit Rural.
Zyrtarët prezantuan para studentëve edhe investimet e bëra të MBPZhR gjatë strategjisë 2014-2020 dhe numrin e projekteve të realizuara për shtatë vitet e kaluara, si dhe për politikat e ndërmarra me strategjinë e re për shtatë vitet e ardhshme dhe orientimet e programeve për grante në asete fizike në bazë të strategjisë zhvillimore.
Në fund të vizitës u kërkua nga palët që këto vizita të vazhdohen edhe në të ardhmen pasiqë i kontribuojnë në masë të madhe institucioneve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Bujqësisë si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.