Studentët e vitit të pestë në Fakultetin e Stomatologjisë në UBT, të shoqëruar nga profesori Arsim Gërxhaliu, kanë realizuar një vizitë studimore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, ku kanë parë nga afër punën dhe angazhimin e stafit të këtij institucioni.
Në këtë vizitë, studentët patën mundësi të njoftohen nga afër me angazhimin e profesionistëve në laboratorin e toksikologjisë, të histopatologjisë, si dhe për mënyrën e publikimit të rezultateve përfundimtare të rasteve që i nënshtrohen autopsisë forenzike.
Ndër të tjera, studentët panë nga afër edhe ekzaminimin e mbetjeve mortore të rasteve të luftës në Kosovë në sallën e antropologjisë, si dhe vizituan sallën e rasteve klinike te rastet e dhunës seksuale dhe fizike.
Këto vizita në kuadër të Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, janë në shërbim të studentëve për të thelluar më shumë njohuritë e tyre rreth profesionit, por edhe për të parë nga afër punën dhe angazhimin e institucioneve publike dhe private.