Një grup prej 33 studentësh të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, që ndjekin lëndën “Hekurudhat”, realizuan një vizitë studimore në stacionin hekurudhor të Fushë Kosovës. Kjo vizitë synonte njohjen nga afër dhe në mënyrë praktike me infrastrukturën hekurudhore dhe proceset e saj operacionale.
Gjatë vizitës, studentët, nën drejtimin e Dr. Sc. Visar Baxhukut dhe Sabit Thaqit, Drejtor i Divizionit të Udhëheqjes së Trenave, u njohën me: Organizimin dhe funksionimin e stacionit hekurudhor dhe ndërlidhjen me transportin intermodal; Pajisjet e sinjalizimit dhe komunikimit, përfshirë pajisjet regjistruese zanore dhe të shkruara; Trasenë e hekurudhës, përfshirë shtresat e trupit të trases, pragjet dhe binarët; Metodat e mirëmbajtjes së binarëve dhe trenave, si dhe pajisjet për kontrollin dhe rregullimin e lëvizjes së trenave nga dhoma qendrore e kontrollit.
Vizita përfshiu edhe analizimin e frekuencës së lëvizjes së trenave, sfidat në funksionim dhe proceset e monitorimit dhe planifikimit të linjave. Në përfundim të vizitës, studentët shprehën vlerësimin e tyre për këtë mundësi të vlefshme edukative, e cila jo vetëm që forcoi dijet e tyre teorike, por gjithashtu i pajisi me njohuri konkrete përballë realitetit profesional. Aktiviteti u cilësua si një shembull i shkëlqyer i qasjes bashkëkohore në edukimin inxhinierik, ku teoria ndërthuret me praktikën për të ndërtuar kompetenca të forta teknike dhe profesionale./UBTNews/