Studentët e Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, kanë realizuar një vizitë studimore në Qumështoren “Sharri”, në Prizren, në kuadër të lëndës: “Hyrje në Shkencat e Ushqimit”.
Nën përcjelljen e profesorit të lëndës, Medin Zeqiri, dhe asistentes Vlora Rama, studentët panë nga afër gjithë procesin e përpunimit të qumështit duke filluar nga pranimi i lëndës së parë (qumështit), për të vazhduar me marrjen e mostrave për analiza të ndryshme, kryerjen e analizave organoleptike, fiziko-kimike dhe mikrobiologjike.
Studentët u njoftuan edhe me proceset e përpunimit si: ftohja, homogjenizimi, standardizimi, pasterizimi, fermentizimi, mbushja, paketimi, ruajtja, mbajtja e higjienës së stafit dhe industrisë, për sigurinë në punë, si dhe për kushtet dhe mënyrën e shpërndarjes së produkteve.
Studentët e Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, shprehën një interesim të veçantë për metodën e pranimit të lëndës së parë dhe marrjen e mostrave, kryerjen e analizave, punën dhe mirëmbajtjen e aparaturave, higjienën në përgjithësi dhe produktet e qumështit, kështu duke zhvilluar edhe një interaktivitet të frytshëm mes të gjithë pjesëmarrësve.
Kjo vizitë është realizuar në kuadër të ushtrimeve në lëndën “Hyrje në Shkencat e Ushqimit”, dhe vizitat e tillë shërbejnë për të parë nga afër punën dhe atë që i pret studentët në një të ardhme të afërt.