Studentët e Fakultetit Studime të Sigurisë dhe Shkencave Politike në UBT, të shoqëruar nga dekani i fakultetit, Dritëro Arifi, prodekanja, Hajdi Xhixha, profesori Arian Kadriu, si dhe koordinatorja e fakultetit, Samire Sadiku, kanë zhvilluar një vizitë studimore në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim dhe Shpëtim (SARITC) në Pomozatin, në vendin ku kryhen stërvitjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për menaxhimin e fatkeqësive dhe emergjencave.
Studentët dhe stafi akademik i UBT-së, në këtë vizitë u mirëpritën nga drejtori i Qendrës Trajnuese për Kërkim dhe Shpëtim të FSK-së, kolonel John Doone, i cili ua shpjegoi punën dhe angazhimin e stafit, si dhe iu dha informacione më të detajuara rreth potencialit që ka FSK për menaxhimin e krizave në vend, por edhe në rajon.
Studentët e UBT-së u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur me pritjen dhe shëtitjen në terren, ku patën mundësi të shohin nga afër skena të ndryshme ku improvizohen raste të fatkeqësive, ku zhvillohen stërvitje ushtarake, duke u ritheksuar kështu rëndësia e sigurisë në vend gjatë fatkeqësive natyrore.
Vizitat e tilla në kuadër të Fakultetit Shkenca Politike në UBT, përgjatë lëndëve teorike dhe praktike, ndihmojnë studentët të thellojnë njohuritë e tyre dhe të zhvillojnë diturinë rreth çështjeve bazë të profesionit, për t’u përgatitur dhe për të qenë të gatshëm për të ardhmen.