Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në kuadër të lëndës “Ndërmarrësi dhe Menaxhim i Inovacionit”, të udhëhequr nga profesoreshat: Ermira Shehu, Gonxhe Beqiri dhe Mirjeta Domniku, kanë zhvilluar një vizitë studimore në ndërmarrjen “M&Sillosi” në Rahovec.
Në kuadër të kësaj vizite, studentët u udhëhoqën nga përfaqësuesi i kompanisë “M&Sillosi”, Samir Bajraj, me të cilin u diskutua rreth temës: “Prodhimi inovativ, produktet dhe shërbimet”, si dhe u fol rreth aspektit të digjitalizimit të prodhimit dhe benefiteve të përdorimit të sistemeve të integruara teknologjike.
Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte që studentët përveç shtjellimit teorik të temës, të njoftohen edhe me zhvillimet praktike që aktualisht aplikohen nga ndërmarrja prodhuese “M&Sillosi”, si dhe me llojet e analizave dhe testimeve të cilat realizohen përmes laboratorit të cilësisë, i cili është i akredituar me standardet ISO dhe në baza ditore realizon analiza të ndryshme të miellit dhe nënprodukteve të tij.
Përfaqësuesi i kompanisë “M&Sillosi”, Samir Bajraj, përmes përvojës së tij ka theksuar për studentët, rëndësinë e zhvillimit të proceseve dhe standardizimit të tyre me qëllim që zinxhiri i prodhimit të jetë funksional dhe të prodhojë produkte cilësore, të cilat mundësojnë arritjen e objektivave të përgjithshme të ndërmarrjes.