UBT News

Studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, vizituan Komunën e Ferizajt

Studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në kuadër të lëndës “Marketing”, të shoqëruar nga profesor Rajan Arapi, zhvilluan një vizitë studimore në Komunën e Ferizajt, ku u pritën nga kryetari i kësaj komune, njëherit kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që studentët të njoftohen për së afërmi me projektet e zhvilluara nga komuna dhe me impaktin e këtyre projekteve në mirëqenien e qytetarëve, teksa në të njëjtën kohë ata u njoftuan edhe me aspektet menaxheriale në institucionet publike, performancën e saj, si dhe strategjitë e komunikimit me opinionin publik.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, e vlerësoi lartë vizitën e studentëve, duke potencuar faktin se studentët dhe profesorët e UBT-së janë të angazhuar në cilësinë e ekspertëve në projekte zhvillimore siç është projekti i bashkimit të qytetit.

Studentët patën mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me kreun e komunës, të parashtrojnë pyetje rreth çështjeve të ndryshme menaxheriale si dhe për planet e projektet që pritet të realizohen në Komunën e Ferizajt.

Vizitat e tilla në kuadër të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, tregojnë cilësinë dhe strategjinë e organizimit të mirëfilltë të studimeve, duke gërshetuar lëndët teorike me ato praktike për të zhvilluar një rrugëtim profesional në karrierë.

Exit mobile version