UBT News

Studentët e Fakultetit MBE në UBT mirëpresin ‘Fondin Kosovar për Garanci Kreditore’ për një ligjëratë informuese

Në kuadër të lëndës Menaxhimi Bankar, të udhëhequr nga profesori Shpresim Vranovci, Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) pati kënaqësinë të mirëpresë përfaqësuesit e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), të cilët zhvilluan një ligjëratë informuese me studentët e këtij fakulteti. Tema e ligjëratës u përqendrua në rëndësinë dhe rolin e skemave garantuese në zhvillimin ekonomik, duke theksuar veçanërisht ndikimin e tyre në përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

  

Gjatë këtij takimi, studentët e Fakultetit MBE patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi funksionimin e skemave garantuese dhe ndikimin e këtyre mekanizmave në mbështetje të NMVM-ve për kapërcimin e sfidave financiare që hasin këto ndërmarrje. Diskutimi u fokusua gjithashtu në lidhjen mes këtyre skemave dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike në Kosovë, duke theksuar se mbështetje të tilla janë të domosdoshme për të nxitur inovacionin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ligjërata ofroi një balancë të shkëlqyer mes teorisë dhe praktikës, duke i angazhuar studentët me shembuj konkretë nga përvoja dhe veprimtaria e FKGK-së.

Anita Toçi, përfaqësuese e FKGK-së, ndau me studentët informacion të vlefshëm dhe mesazhe motivuese që i inkurajuan ata të angazhohen më shumë në zhvillimin e ekonomisë dhe sipërmarrjes vendore. Ky takim i jashtëzakonshëm u bë një mundësi për studentët që të kuptojnë më mirë se si funksionon sektori bankar dhe financat e ndërmarrjeve në vendin tonë.

UBT, gjithmonë e përkushtuar për të ofruar mundësi të tilla që pasurojnë edukimin dhe rrisin njohuritë e studentëve, vazhdon të krijojë mundësi për bashkëpunime të frytshme, të cilat ndihmojnë në përgatitjen e tyre për tregun e punës dhe i mundësojnë që të përfitojnë nga mundësi reale në zhvillimin e karrierave të tyre./UBTNews/

Exit mobile version