UBT News

Studentët e Fakultetit MBE: Mësim dhe certifikim i përbashkët me Universitetin e IOWA

Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE) në UBT, në kuadër të lëndës “Mjedisi Biznesor Ndërkombëtar”, të udhëhequr nga profesori Enver Krasniqi dhe Erin Johnson, kanë vazhduar për vitin e gjashtë me radhë ligjëratat e përbashkëta online me studentët nga Universiteti i IOWA, SHBA.

Një risi e veçantë për këtë vit ishte se për herë të parë, studentët e UBT-së do të certifikohen për këtë aktivitet, duke i ofruar atyre një mundësi të vlefshme për të pasur një vlerësim të drejtpërdrejtë nga një universitet prestigjioz amerikan. Po ashtu, studentët patën mundësinë të kenë qasje në platformën online të Universitetit të IOWA, ku mund të merrnin pjesë në detyra, diskutime dhe aktivitete që përfshijnë të gjitha çështjet e rëndësishme, njësoj si studentët amerikanë.

Kjo iniciativë, e cila ka filluar para gjashtë vitesh, ka ofruar mundësi të shkëlqyera për studentët të zhvillojnë aftësi të rëndësishme si prezantimi, puna në grup dhe diskutimi ndërkulturor.

Temat e ligjëratave janë përqendruar në njohjen e jetës studentore dhe konteksteve të ndryshme edukative dhe profesionale në SHBA dhe Kosovë. Studentët janë ndarë në grupe dhe kanë përgatitur prezantime në lidhje me aspektet e jetës studentore dhe mjedisin biznesor të dy universiteteve, duke i vlerësuar ato në një mënyrë krahasuese.

Në fund të sesioneve, secili grup ka zhvilluar dhe prezantuar një infografik në lidhje me një produkt ose shërbim që nuk është i pranishëm në një nga dy vendet, por që mund të ketë sukses në vendin tjetër. Këto projekte ishin pjesë e një përpjekje për të krijuar lidhje dhe mundësi biznesi ndërmjet dy kulturave të ndryshme.

Profesorët e MBE-së, theksuan se ishte një vlerësim i përbashkët se prezantimet e 8 grupeve ishin jashtëzakonisht të suksesshme, duke përmbushur të gjitha objektivat e këtyre sesioneve të përbashkëta. Duke shtuar tutje se, studentët e UBT-së, së bashku me ata të Universitetit të IOWA, e treguan një performancë të shkëlqyer, duke arritur të përcjellin mesazhe të qarta dhe të zhvilluar një nivel të lartë bashkëpunimi ndërkombëtar. Ky aktivitet ka qenë një mundësi e shkëlqyer për studentët për të zhvilluar aftësi të rëndësishme që do t’i shërbejnë atyre gjatë karrierës profesionale./UBTNews/

Exit mobile version