Studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, së bashku me profesorë të këtij programi të studimit, kanë zhvilluar një vizitë studimore në rrethrrotullimet, nënkalimet dhe mbikalimet në fshatrat Varosh dhe Nekodim, si dhe te Bashkimi i Qytetit në Ferizaj.
Në këtë vizitë studimore të këtyre lokacioneve në qytetin e Ferizajt, studentët panë mënyrën e realizimit të disa projekteve, formën, madhësitë dhe sinjalizimet te rrethrrotullimet.
Në të njëjtën kohë, studentët monitoruan edhe funksionimin e komunikacionit në këto rrethrrotullime, përparësitë e këtyre kryqëzimeve, të metat dhe përparësitë e nënkalimit në qytetin e Ferizajt.
Studentët patën mundësi që të vizitojnë edhe nënkalimin në mes të fshatit Varosh dhe Nekodim, duke i vëzhguar të njëjtat elemente rreth mënyrës së realizimit të projektit, si dhe duke monitoruar funksionimin e komunikacionit në rrethrrotullim, largimin e ujërave atmosferike, përparësitë si dhe të metat e këtij kryqëzimi-rrethrrotullimi.
Studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, vizituan edhe nënkalimin e fshatit Nekodim, në lokacionin e kryqëzimit me hekurudhën, ku panë detaje shumë të rëndësishme që atyre iu duhen shumë në rrugëtimin e tyre profesional në karrierë.