Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në kuadër të hapjes zyrtare të festivalit më të madh të dijes në Kosovë dhe në rajon, “Global UBT Fest 2022”, studentët e Fakultetit Dizajn i Integruar në UBT, kanë realizuar një sfilatë mode, ku kanë prezantuar punimet e tyre kreative.
Përgjatë këtij aktiviteti të Fakultetit Dizajn i Integruar mori pjesë rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, zëvendëskryeministrja e parë e Republikës së Kosovës, njëherit ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, profesori ndërkombëtar nga Izraeli, Dror Fixler, si dhe profesorë e studentë të UBT-së.
Pjesëmarrësit u impresionuan nga koleksioni i veshjeve të prezantuara nga studentët e këtij fakulteti, si dhe nga puna dhe angazhimi i shkëlqyer i tyre për të sjellë në Kosovë një “Fashion show” të organizuar pikërisht nga vet ata.
“Fashion show”, e organizuar nga studentët e Fakultetit Dizajn i Integruar në UBT, në bashkëpunim me profesorët e UBT-së: Afërdita Statovci, Ariana Gjoni, Cennet Lika, Laura Ymeri dhe Ardita Rizvanolli, ka pasur për qëllim prezantimin e punimeve të studentëve të vitit të dytë dhe atyre të vitit të tretë, të cilët i kanë projektet përfundimtare.