Me ftesë të Cultural Heritage without Borders (CHwB) në Shqipëri, nga Pezana Rexha, shtatë studente të Fakultetit Dizajn i Integruar dhe Fakulteti Dizajn i Integruar i Avancuar në UBT, Nertila Memaj, Alma Salihi, Marigona Susuri – Kamberi, Shkurte Ejupi, Anila Gashi, Engjellushe Gojnovci dhe Safete Beqiri, morën pjesë në punëtorinë “Rikrijimi i Traditës 2” në Gjirokastër, e cila kulminoi me sfilatën finale në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.
Gjatë një periudhe prej dhjetë ditësh, studentët u angazhuan me pasion dhe entuziazëm të lartë në procesin e dizajnimit dhe krijimit të veshjeve të tyre të veçanta, të frymëzuara nga pasuritë e trashëgimisë kulturore dhe tradita e veshjeve kombëtare shqiptare.
Nëpërmjet kësaj përvoje të jashtëzakonshme, ato shfaqën aftësi të rralla për të kombinuar elementët tradicionale me stilin e tyre kreativ dhe shfaqën një përfaqësim të identitetit kulturor shqiptar.
Punëtoritë e tilla krijojnë një platformë unike për rritjen e potencialeve kreative të studentëve, duke u ofruar mundësinë për të eksploruar thellësisht vlerat e kulturës sonë dhe për të sjellë inovacion dhe freski në formën e tyre të artit të modës.