UBT News

Profesorët dhe studentët e Arkitekturës së UBT-së në vizitë akademike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Lübeck të Gjermanisë

Nga data 8 deri më 13 dhjetor, profesorët Dr. Lulzim Beqiri, Dr. Bekim Ceko dhe Dr. Kujtim Elezi, së bashku me tetë studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor të UBT-së, po marrin pjesë në një vizitë akademike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Lübeck, Gjermani.

Vizita zhvillohet në kuadër të programit Erasmus+ “Blended Mobility”, i cili mbështet shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet institucioneve arsimore.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, stafi akademik dhe studentët do të jenë pjesë e zhvillimit dhe vlerësimit të studios së përbashkët të titulluar “Integrimi i lumit në hapësirat publike në Prishtinë”. Ky projekt synon të gjenerojë ide dhe propozime të reja për trajtimin e lumenjve të Prishtinës, duke i kthyer ata në elementë të rëndësishëm të hapësirave publike.

Studentët dhe profesorët do të punojnë në bashkëpunim me kolegët e Fakultetit të Arkitekturës në TH Lübeck për të zhvilluar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme që përmirësojnë cilësinë urbane dhe mjedisore të kryeqytetit të Kosovës.

Profesorët e UBT-së do të marrin pjesë edhe si anëtarë të paneleve vlerësuese në kuadër të studio-dizajnit që zhvillohet në Fakultetin e Arkitekturës në TH Lübeck. Ky angazhim përfshin jo vetëm vlerësimin e projekteve, por edhe ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e planifikimit hapësinor dhe arkitekturës.

Ky bashkëpunim ndërmjet UBT-së dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Lübeck është një shembull i shkëlqyer i përfitimeve të programit Erasmus+, i cili i jep mundësi studentëve dhe stafit akademik të eksplorojnë qasje të reja, të ndajnë njohuri dhe të krijojnë lidhje të forta ndërmjet institucioneve evropiane.

Vizita në Lübeck jo vetëm që forcon partneritetin mes dy universiteteve, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin profesional të pjesëmarrësve dhe pasurimin e përvojës së tyre akademike./UBTNews/D.E.

Exit mobile version