UBT News

Street Party Prishtina rikthehet me edicionin e shtatë në zemër të kryeqytetit

Prishtina do të jetë sërish nikoqire e një prej ngjarjeve më të njohura verore urbane. Më 8 gusht rikthehet Street Party Prishtina, i cili këtë vit vjen me edicionin e shtatë dhe premton një ditë të mbushur me muzikë, argëtim dhe atmosferë festive.

Për plot 10 orë, nga ora 13:00 deri në 23:00, rruga “Fehmi Agani” – Kafet e Vogla do të shndërrohet në një hapësirë të hapur për performanca muzikore dhe aktivitete artistike, ku publiku do të ketë mundësi të shijojë interpretime nga artistë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Në skenën e këtij edicioni do të performojnë Jetoni, Luk, Neritani, Adriani, Labaresha dhe Luna Skye, duke sjellë një program të larmishëm muzikor gjatë gjithë ditës.

Përveç muzikës, organizatorët kanë paralajmëruar edhe aktivitete kreative e artistike, me synimin që Street Party të mbetet një pikëtakim për të gjithë adhuruesit e kulturës urbane dhe jetës së natës në kryeqytet.

Hyrja në aktivitet është falas për të gjithë qytetarët.

Edicioni i sivjetmë organizohet nga NXT LVL Events & Entertainment, me mbështetjen e WinMusic Freedom dhe nën patronatin e Komunës së Prishtinës./A.K/

Exit mobile version