UBT News

Strategjitë dhe komunikimi në kohë krizash: Dr. Nehat Koçinaj nga AME zhvillon ligjëratë tematike me studentët e Studimeve të Sigurisë në UBT

Në UBT u organizua një ligjëratë tematike me Dr. Nehat Koçinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), i cili shërben si Udhëheqës i “Divizionit për Çështje Ligjore dhe Marrëdhënie me Publikun dhe Ndërkombëtare”.

Ligjërata u mbajt për studentët e vitit të dytë të programit të Studimeve të Sigurisë dhe u koordinua nga Prof. Dr. Bahri Gashi, profesor i lëndës “Menaxhimi i Krizave dhe Emergjencave Civile”.

Dr. Koçinaj trajtoi rëndësinë e strategjive aplikative dhe kapaciteteve të menaxhimit emergjent në kohë krizash, duke prezantuar një analizë gjithëpërfshirëse dhe kronologjike mbi temën kryesore: “Strategjitë dhe komunikimi në kohë krizash”. Diskutimi u fokusua në situata konkrete dhe kapacitetet aktuale të institucioneve të sigurisë në Kosovë, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e krizave dhe emergjencave civile.
Studentët patën mundësinë të shtronin pyetje dhe të merrnin informacione të detajuara mbi sfidat dhe qasjet që përfshin kjo fushë, duke e bërë këtë ligjëratë një mundësi të vlefshme për thellimin e njohurive të tyre profesionale.

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me AME, studentët e vitit të tretë të Studimeve të Sigurisë në UBT, dy vite më parë, kishin realizuar një vizitë studimore në këtë institucion. Gjatë kësaj vizite, ata patën rastin të njihen nga afër me aktivitetet dhe operacionet e AME-së. Ky bashkëpunim pritet të zgjerohet më tej, duke përfshirë edhe mundësi për punë praktike të studentëve të UBT-së në këtë institucion./UBTNews/

Exit mobile version