Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar sot raportin e auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi ndaj situatave emergjente”.
Deputetët theksuan problemin me mungesën e përditësimit të dokumentit për vlerësimet nga fatkeqësitë natyre dhe të tjera në nivel vendi, që siç thuhet në raport nuk është bërë që prej vitit 2016.
Gjithashtu, u diskutua për nevojën që vendi të ketë strategjinë e sigurisë, për çka përfaqësues nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës, deklaruan se dokumenti është në fazën e draftimit.
Shpend Tërdeva nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës tha se me vendimin e datës 28 maj të këtij viti, strategjia është në proces të hartimit.
“Sa i përket dokumenteve strategjike, unë shkurtazi do t’ju njoftoj se ne kemi marrë pjesë dhe kemi dhënë kontributin tonë vazhdimisht, dëshiroj t’ju njoftoj si komision parlamentar që është në proces strategjia e sigurisë së Kosovës me vendimin e datës 28.05.2021, jemi në fazën e draftimit të dokumentit… Besoj që e kuptoni që është njëri prej dokumenteve më bazike për sektorin e sigurisë dhe mbetët mungesë deri në miratimin e atij dokumenti në parlament”, tha ai.
Tërdeva tha se kanë përgatitur disa dokumente strategjike ndër vite, për secilën qeveri, por ndërrimi i pushtetit ka bërë që ato të kthehen prapa dhe mos të arrijnë për miratim në Kuvendin e Kosovës.
“Në vitin 2017 kemi shkuar deri në fazën finale të kalimit të saj në Këshillin e Sigurisë, ka ra qeveria jemi kthyer prapa, qeveria më tutje është marrë prapë më të, ka kaluar në qeveri, prapë nga qeveria tjetër është kthyer prapa për shkak të prioriteteve strategjike që i kanë qeveritë për sektorin e sigurisë që secila me secilën kanë ndryshime. Qeveria e parafundit, edhe ajo e ka proceduar këtë çështje dhe ka mbërri ta kalojë në qeveri, qeveria e re e ka rikthyer t’i shqyrtojë disa çështje të natyrave sektoriale për të cilat me vendim të veçantë është në rishikim ai dokument nga zyra jonë bashkë me trupën punuese të cilën e ka emëruar qeveria e re”, tha ai.
Lidhur me këtë, kryetarja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami tha kjo çështje do të duhej të rregullohej në nivel të ekspertëve.
“Shpresoj shumë që qeveria ta sjell, nuk po e kuptoj faktikisht pse një dokument i natyrës së tillë ka pasur nevojë që prej secilës qeveri të kthehet nga fillimi, është dashur të jetë çështje e ekspertëve, unë e di që ministrat mund të japin një lexim por kontributi është i nivelit të ekspertëve”, tha ajo.
Ndërsa në përmbledhjen e raportit të Auditorit thuhet se përditësimi i dokumentit për vlerësimet nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera në nivel vendi nuk është bërë që prej vitit 2016.
“Mospërditësimi i këtij dokumenti ka pamundësuar parashikimin e fatkeqësive dhe pasojave të mundshme nga fatkeqësitë, duke pamundësuar të bëhet vlerësimi i duhur i mbrojtjes nga rreziqet përkatëse dhe masat parandaluese për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë… Për vitin 2020 nuk ka të dhëna në sistem. Databaza është në funksion dhe është e qasshme vetëm brenda rrjetit qeveritar, mungesa e të dhënave mbi fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera në Kosovë paraqet problem për vlerësimet e rrezikut në të ardhmen duke mos qenë të informuar se si kanë ndodhur këto fatkeqësi”, tha deputeti i LVV, Eman Rrahmani.
Raporti i auditimit të performancës, që përfshin Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Qendrën e Situatave dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, është bërë për vitin 2019, 2020 dhe 2021.