Vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtje pasi “ne jetojmë në një botë të rrezikshme” dhe aleanca po vazhdon të mbështesë Ukrainën kundër “agresionit brutal të Rusisë”, tha kreu i organizatës, Jens Stoltenberg për Sky News.
Vendet anëtare kanë dërguar armë, municion dhe shumë lloje të pajisjeve të lehta dhe të rënda ushtarake në Ukrainë, përfshirë sisteme antitank dhe anti-ajrore, obuse dhe dronë, ndërsa qeveria e Kievit lufton me forcat e presidentit Vladimir Putin.
Stoltenberg i tha prezantuesit Kay Burley se organizata e tij po ndihmon Ukrainën “të ruajë të drejtën e vetëmbrojtjes” dhe po parandalon që lufta të përshkallëzohet përtej vendit.
Ai theksoi se NATO dhe aleatët “nuk janë pjesë e konfliktit” – por aleanca ka rritur praninë e saj ushtarake, veçanërisht në krahun lindor, për t’i dërguar një “mesazh shumë të qartë” Moskës se nëse ndonjë aleat i NATO-s sulmohet, e gjithë aleanca do të përgjigjet./UBTNews/