Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg do të bëhet shefi i ri i Bankës Qendrore të Norvegjisë. Lajmi u konfirmua nga qeveria norvegjeze të premten, pavarësisht shqetësimeve të opozitës se emërimi i ish-kryeministrit mund të dobësojë pavarësinë e këtij institucioni.
Mandati i Stoltenberg në NATO përfundon në shtator të këtij viti. Qeveria e Norvegjisë teksa njoftoi për emërimin, tha që shpreson që ai do të mund të nisë punën në drejtimin e bankës rreth 1 dhjetorit.
“Unë jam mirënjohës për besimin dhe mezi pres të marr përsipër punën”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi, në të cilën ai mori pjesë me videokonferencë nga Brukseli, ku është selia e aleancës ushtarake prej 30 anëtarësh.
Guvernatori aktual i Bankës Qendrore, 70-vjeçari Øystein Olsen, do të largohet nga posti këtë vit. Ai ishte në krye të Bankës që nga 1 janari i vitit 2011, në dy mandate./UBTNews