Shefi i NATO-s shënoi të enjten 75-vjetorin e Aleancës, duke thënë se ajo jo vetëm që përhap “paqe, demokraci dhe prosperitet” në të gjithë Evropën, por gjithashtu “shumëfishoi fuqinë e Amerikës”.
“Sot ne festojmë 75-vjetorin e aleancës më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të suksesshme në histori”, tha sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, në ceremoninë përkujtimore në Bruksel.
“Evropa ka nevojë për Amerikën e Veriut për sigurinë e saj. Në të njëjtën kohë, Amerika e Veriut gjithashtu ka nevojë për Evropën”, tha ai.
“Aleatët evropianë ofrojnë ushtri të klasës botërore, rrjete të mëdha inteligjence dhe leva unike diplomatike, duke shumëfishuar fuqinë e Amerikës”.
Ai theksoi se nuk beson në “Amerikën vetëm” apo “Evropën vetëm.”
“Unë besoj në Amerikën dhe Evropën së bashku në NATO, sepse ne jemi më të fortë dhe më të sigurt së bashku”, shtoi ai.
Ai theksoi gjithashtu se ndarja e drejtë e barrës midis anëtarëve është thelbësore dhe tha se Evropa po investon më shumë, pasi shumica e aleatëve të NATO-s do të investojnë të paktën dy për qind të bruto prodhimit vendor në mbrojtje në vitin 2024./AA