Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sërish u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë për shtensionim të situatës në veri. Ai u ka kërkuar të rikthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Situata në Kosovë, tregon nevojën për bashkëpunimin e BE-së me NATO-n. NATO fuqishëm mbështet përpjekjet diplomatike përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, me forcat tona ushtarake në terren dhe kemi shtuar prezencën tonë atje. U bëjmë thirrje palëve për shtensionim, të përmbahen nga veprimet që mund rrisin tensionet edhe më tej, dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka thënë Stoltenberg.
Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.