Të 30 anëtarët e NATO-s janë gati të ulen në tryezë për të diskutuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë në lidhje me grupin terrorist PKK, tha sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
Deklarata e shefit të NATO-s vjen pasi Ankaraja ka vazhduar të kundërshtojë kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën transatlantike, duke thënë se të dy vendet kanë mbështetur dhe ofruar një strehë të sigurt për terroristët, duke përfshirë anëtarët e YPG/PKK-së dhe të tjerë.
“Të gjithë aleatët e NATO-s janë të gatshëm të ulen dhe t’i adresojnë këto shqetësime, duke përfshirë kërcënimet që i bëhen Turqisë nga PKK, dhe këto janë kërcënime terroriste, që sigurisht, është diçka që ne po e marrim shumë seriozisht”, u tha Stoltenberg gazetarëve në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), ku ai u prit nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
“Ne e dimë se asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste se Turqia”, tha Stoltenberg.
“Turqia është një aleat i rëndësishëm për shkak edhe të vendndodhjes së saj gjeografike strategjike në kufi me Irakun dhe Sirinë”, shtoi ai.
Stoltenberg tha se në ditët në vijim, do të takohet me zyrtarë të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda në Bruksel për të gjetur një zgjidhje të përbashkët./atsh/