UBT News

Stoltenberg: I bindur se Suedia së shpejti do të anëtarësohet në NATO

Suedia do të bëhet anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) pavarësisht kundërshtimit të Turqisë dhe Hungarisë, tha shefi i aleancës ushtarake transatlantike, Jens Stoltenberg në një intervistë për CNN.

“Kam besim se Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s, veçanërisht pasi të gjithë aleatët e NATO-s, përfshirë Turqinë, e ftuan Suedinë të bëhet anëtare në samitin tonë në Madrid”, tha Stoltenberg.

Finlanda u bë zyrtarisht anëtarja e 31-të e NATO-s të martën, duke shënuar një ndryshim të madh në peizazhin e sigurisë në Evropën verilindore që shton rreth 1,300 kilometra në kufirin e aleancës me Rusinë.

Megjithatë, përpjekjet e Suedisë për t’u bashkuar me bllokun janë bllokuar nga anëtarët e aleancës, Turqia dhe Hungaria, pasi sipas rregullave të pranimit, çdo shtet anëtar mund të vërë veton ndaj një vendi të ri për t’u bashkuar.

Bashkimi i Finlandës me aleancën rindezi gjithashtu thirrjet e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden njoftoi të martën një paketë shtesë të ndihmës ushtarake për Ukrainën, me vlerë 2.6 miliardë dollarë, si pjesë e mbështetjes së NATO-s për vendin në luftë.

Ukraina ka përdorur municionet dhe armët më shpejt se sa mund të prodhojnë SHBA-ja dhe NATO-ja, por Stoltenberg premtoi të rrisë prodhimin për të përmbushur nevojat e mëtejshme te vendit.

“Kjo tani është kthyer në një luftë shpërbërjeje, një luftë logjistike. Ne po punojmë ngushtë me industrinë e mbrojtjes në të gjithë aleancën për të rritur prodhimin, pjesërisht për të qenë në gjendje të rimbushim rezervat tona, por gjithashtu të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për Ukrainën’, shtoi Stoltenberg.

“Është Rusia ajo që ka pushtuar fqinjët… Kjo është arsyeja pse vendet në Evropë duan të jenë pjesë e NATO-s”, tha ai

Exit mobile version