Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti vendimin e parlamentit të Turqisë duke i hapur rrugën zyrtarisht pranimit të Finlandës në NATO. Ai njoftoi se një gjë e tillë do të ndodhë brenda pak ditëve, ndërsa kërkoi nga Ankaraja që të mos pengojë dhe rrugëtimin e Suedisë për në aleancë.
“Përshëndes votimin e parlamentit të Turqisë për të ratifikuar anëtarësimin e Finlandës në NATO. Të gjithë 30 aleatët në NATO e kanë miratuar protokollin e anëtarësimit. Kam folur me presidentin Sauli Niinisto për ta përgëzuar lidhur me këtë rast historik. Finlanda do t’i bashkohet zyrtarisht aleancës sonë gjatë ditëve në vijim. Të gjithë aleatët duhet të pajtohen që përmbyllja e shpejtë e procesit të ratifikimit për Suedinë do të jetë në interes të të gjithëve. Gjithashtu, pres që të mirëpres Suedinë si një anëtar me të drejta të plota në familjen e NATO-s sa më shpejt që të jetë e mundur”.