Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbërrijë në Turqi të enjten për një vizitë tre-ditore, njofton Ministria e Jashtme turke.
Në një deklaratë të mërkurën, ministria tha se Stoltenberg do të pritet nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Shefi i NATO-s do të takohet gjithashtu me ministrin e Jashtëm, Mevlut Çavusoglu dhe ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar.
Bisedimet pritet të përqendrohen rreth zgjatjes së marrëveshjes së grurit të Stambollit dhe ofertat e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës, të cilat Turqia i ka akuzuar për mbështetje të grupeve terroriste.
Finlanda dhe Suedia arritën një marrëveshje me Turqinë në muajin qershor dhe Erdogan ka paralajmëruar se vendi i tij nuk do t’i japë shenjë anëtarësimit të tyre derisa të adresohen shqetësimet e Ankarasë.
Çavusoglu zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij holandez Wopke Hoekstra. Të dy zyrtarët trajtuan marrëveshjen e eksportit të grurit, si dhe zhvillimet më të fundit në Ukrainë ku Rusia nisi një “operacion special ushtarak” në shkurt.
Sipas burimeve diplomatike, Çavusoglu dhe Hoekstra diskutuan gjithashtu problemet me të cilat përballen qytetarët turq në marrjen e vizave.
Ministri i jashtëm turk takoi gjithashtu Geir O. Pederse, të dërguarin e posaçëm të OKB-së për Sirinë në Ankara. Çavusoglu shkroi në Twitter se ai “diskutoi zhvillimet e fundit në Siri dhe përsëriti mbështetjen për procesin politik”./AA