Kosova po merr pjesë në stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender Europe 21” me 330 pjesëtarë, tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Meha.
“Pjesëmarrja jonë në ‘Defender Europe 21’ është 330 pjesëtarë dhe do të jetë një validim i kompanisë tonë. Kështu që, ne jemi pjesëmarrës në ‘Defender Europe 21’ dhe është kënaqësi të jemi aty”, tha Meha të mërkurën, teksa raportoi para Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Më 29 prill, në Shqipëri NATO nisi stërvitjen “Defender Europe 21”, që është stërvitja me shkallën më të gjerë që është mbajtur në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë stërvitje po marrin pjesë mijëra forca nga Shtetet e Bashkuara.
Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor.
Duke folur për operacionet jashtë vendit, ministri Meha tha se ato validojnë rrugën e Kosovës drejt aleancës së NATO-s. Ai paralajmëroi se shumë shpejt pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të marrin pjesë edhe në operacione të tjera.
“Sa i përket çështjeve operacionale jashtë vendit, kjo ka domethënie të madhe në rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Së pari është Kuvajti, por jemi duke punuar edhe në drejtime të tjera, do të ju raportoj njëkohësisht. Kështu që shumë shpejt do të marrim pjesë edhe në operacione të tjera jashtë vendit”, tha Meha.
Në mars, një kontingjent i FSK-së u nis për në Kuvajt, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force.
Vendimi për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit ishte marrë më 31 dhjetor, 2020.
Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura.
Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.