Stephen Hawking zbuloi se vrimat e zeza në hapësirë lëshojnë rrezatim. Ai shkroi librin më të shitur “Një histori e shkurtër e kohës”, dhe frymëzoi filmin “Teoria e gjithçkaje”, që rrëfen jetën e tij të pazakontë. Lista e gjatë e arritjeve të tij, bëhet edhe më mbresëlënëse nga fakti se ai bashkëjetoi me sëmundjen ALS për pjesën më të madhe të karrierës së tij. Ja cilët janë disa nga faktet e tjera rreth fizikantit të famshëm.
Libri ‘“Një histori e shkurtër e kohës” ishte një sukses befasues
Hawking u bë i famshëm në mbarë botën me librin e tij “Një histori e kohës” botuar për herë të parë në vitin 1988. Libri ishte një përmbledhje e studimeve të shumta, që ai kreu gjatë jetës së tij në fushën e fizikës teorike. Popullariteti i librit ishte i paprecedentë.
Ai u rendit për 237 javë me radhë në listën më e librave më të shitur në rubrikën e gazetës “Sunday Times” të Londrës, një rekord për kohën. Po ashtu u rendit si libri më i shitur për 3 vite me radhë nga “New York Times”, dhe deri tani ka shitur më shumë se 10 milionë kopje.
Koefiçenti i tij i Inteligjencës (IQ), nuk ishte diçka për të cilën ai mburrej
Stephen Hawking kishte sigurisht një IQ mbresëlënëse, por ai nuk e përmendi kurrë në publik. Është e paqartë nëse i ishte nënshtruar ndonjëherë testit në fjalë. Kur u pyet në vitin 2004 për rezultatin e tij të IQ-së, ai i tha intervistuesit:”Nuk e kam idenë. Njerëzit që mburren me IQ-në e tyre janë dështakë!”.
Hawking vdiq nga ALS disa dekada përtej parashikimit të mjekëve
Shkencëtari u diagnostikua me sëmundjen e Sklerozës Laterale Amiotrofike (ALS) kur ishte një student i sapodiplomuar 21-vjeçar në Kembrixh. Kjo gjendje (e njohur edhe si sëmundja Lu Gehrig), e degradon gradualisht funksionin e neuroneve motorike, duke përfunduar me vdekje, kur pacientët nuk janë në gjendje të marrin frymë apo të gëlltisin vetë ushqimin.
Kjo sëmundje përparoi shpejt tek i riu, ndaj mjekët i thanë Hawking se me shumë gjasa ai nuk do të jetonte më shumë se 25 vite. Edhe pse e humbi shumicën e aftësive të tij fizike, fizikani e mbijetoi disa dekada më shumë. Ai vdiq më 14 mars 2018, në moshën 76-vjeçare.
Mund të jetë prekur nga ALS që në moshë të hershme
Ekspertët nuk janë të sigurt se çfarë e bëri Stephen Hawking një njeri të jashtëzakonshëm sa i përket jetëgjatësisë së tij. Por imuniteti i tij dhe niveli i kujdesit shëndetësor që pati, ishin padyshim faktorë përcaktues. Është gjithashtu e mundur që ai të jetë prekur nga ALS qëkur ishte fëmijë.
Pacienti mesatar me ALS diagnostikohet midis moshës 40 dhe 70 vjeç , por pacientët që preken që në moshë të mitur, fillojnë të shfaqin simptomat e para që në adoleshencë. Kjo sëmundje përparon shumë më ngadalë sesa ALS tek të rriturit, dhe pacientë jetojnë ndonjëherë deri në të 60-at. Hawking nuk ishte adoleshent kur u diagnostikua zyrtarisht me ALS, por shumë më i ri, aq sa ekspertët kanë spekuluar se ai mund të ketë pasur një përpraim më të ngadaltë të të dyja formave të ALS-së.
Stephen dhe gruaja e tij Xhejn patën 3 fëmijë së bashku
Stephen Hawking u njoh me gruan e tij të ardhshme Xhejn Uajld në një festë një vit para se të diagnostikohej me ALS. Me gjithë parashikimin pesimist mbi jetën e shkurtër, Xhejn nuk ngurroi të niste një marrëdhënie me të. Çifti u martua në vitin 1965 dhe martesa i dha Hawking një motiv për të jetuar.
I motivuar nga nevoja për të mbështetur ekonomikisht familjen e tij, ai filloi të tregonte një përkushtim më të madh ndaj punës shkencore, të cilën e kishte braktisur, dhe përfundoi duke e ndryshuar botën m zbulimet e tij.
Gjatë martesës së tyre, ata patën tre fëmijë Robert, Lusi dhe Timoti Hawking. Çifti u divorcua në vitin 1995 dhe Stephen u martua po atë vit me gruan e tij të dytë, Elen Mejzën. Në vitin 2006, çifti u divorcua dhe Hawking nuk do të lidhej më për pjesën tjetër të jetës. Xhejn u rimartua në vitin 1997.
“Gjeneratori i zërit” i dha mundësi Hawking të fliste sërish
Shkencëtar nisi ta përdorte për herë të parë këtë pajisje në vitin 1985, pas një operacioni ku
ai nuk mund të fliste më. Pajisja kontrollohej nga një mekanizëm që Stephen e mbante në dorë. Por kur Hawking nuk mund të përdorte dot as duart, një zgjidhje unike do të ishte sistemi që ai përdori për pjesën e mbetur të jetës.
Sistemi i quajtur ACAT, përdorte sensorë me rreze infra të kuqe të bashkangjitur në syzet e tij, për të gjurmuar lëvizjet e muskujve në faqet e tij. Një kursor në ekranin e tij kalonte nëpër alfabet, dhe Hawking lëvizte fytyrën për ta ndalur kursorin mbi një shkronjë të caktuar.
Në vend se ta detyronte të shkruante fjali një nga një shkronjë, programi përdorte një version shumë të personalizuar, atë të sugjerimit automatik:Ai zgjidhte disa germa të para të një fjale, dhe më pas kompjuteri do të plotësonte pjesën tjetër, bazuar në të dhënat e mbledhura nga transkriptet dhe librat e tij. Që nga ajo kohë, kompania “Intel” e ka bërë teknologjinë ACAT të aksesueshme për njerëzit e tjerë që vuajnë nga kjo sëmundje.
Filmi mbi Stephen Hawking “Teoria e gjithçkaje” përmban zërin e tij origjinal
Hawking jetoi aq gjatë sa për të parë një film biografik që u realizua mbi jetën e tij, ku rolin e tij e luajti aktori Edi Redmejn. Fizikanti vizitoi madje edhe sheshxhirimin, dhe ishte aq i lumtur me atë që pa, sa që u ofrua t’i jepte filmit “zërin” e tij të vërtetë.
Më herët producentët kishin planifikuar të përdornin një repetitor sintetik të zërit të tij, por zëri elektronik në variantin përfundimtar është i njëjti që përdorte Hawking. Fizikani ishte aq i prekur nga filmi, sa që një infermiere u pa duke fshirë një lot që rrodhi mbi fytyrën e tij.
Citate të famshme të Stephen Hawking:
“Nëse alienët do të na vizitojnë ndonjëherë, rezultati do të ishte i ngjashëm me momentin kur Kolombi zbarkoi në Amerikë, një ngjarje që nuk ishte aspak pozitive për banorët vendas. Ne duhet të analizojmë mirë veten, për të parë se si jeta inteligjente mund të zhvillohet në diçka që nuk do të donim ta takonim”.
“Paaftësia ime fizike, nuk kanë qenë një handikap i rëndësishëm në fushën time, që është fizika teorike. Në fakt, ajo më ka ndihmuar në një farë mënyre duke më mbrojtur nga mësimdhënia dhe puna administrative, ku do të isha ii përfshirë në rrethana të tjera”.
“Kam vënë re se edhe njerëzit që pretendojnë se gjithçka është e paracaktuar, dhe se ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar atë, kontrollojnë njëherë me sy rrugën përpara se të kalojnë”.
“Herën tjetër që dikush ankohet se keni bërë një gabim, thuaju se kjo mund të jetë diçka e mirë. Sepse pa papërsosmëri, nuk do të ekzistonim as ti dhe as unë”.
“Ekziston një dallim thelbësor midis fesë, e cila bazohet tek autoriteti dhe shkencës, e cila bazohet tek vëzhgimi dhe arsyeja. Shkenca do të fitojë, pasi ajo funksionon”. / Bota.al