Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano ka thënë se reagimet gjatë fundjavës ndaj disa zhvillimeve në Kosovë kanë pasur për qëllim që t’i shmangin tensionet pas disa veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja i ka quajtur “të njëanshme dhe shqetësuese”.
“Përgjatë javës së shkuar kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Njëri ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe tjetra operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se ata nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës”, ka thënë Stano.
BE-ja ka reaguar pas rregullores së BQK-së, e cila ndaloi përdorimin e dinarit serb, duke lënë vetëm euron si valutë të vetme zyrtare në Kosovë, si dhe ndaj aksionit të Policisë për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë vepruar brenda territorit të Kosovës./UBTNews/