Zëdhënësi për punë të jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi dje se Kosova ende nuk e ka dorëzuar një raport të plotë hetimi në lidhje me sulmin e 24 shtatorit, në Banjskë.
“Në lidhje me hetimin (për Banjskën): Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ka thënë Stano.
Lidhur me këtë, ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka bërë një kronologji të informatave të cilat thotë ai që Kosova ia ka dërguar BE-së pas asaj që ndodhi me 24 shtator.
Sipas tij, Kosova ka dërguar jo një, po disa raporte.
Ai thotë se Ambasada e Kosovës në Bruksel zyrtarisht ka informuar BE-në dhe shtetet anëtare për sulmin në Banjskë, nëpërmjet disa dokumenteve. Ai ka renditur të gjitha procedurat që ka ndërrmarrë Kosova menjëherë pas sulmit.
Më 24 shtator, ditën e sulmit, Bajrami thotë se janë dërguar informacione urgjente për sulm terrorist. Dokumenti kishte dy faqe.
Dy ditë më vonë, më 26 shtator, është dërguar dokumenti prej 12 faqesh me informacion fillestar.
Më 28 shtator është dërguar dokumenti 10 faqor me informacione faktike, teksa më 9 tetor është dërguar kopje fizike e gjetjeve preliminare, dokument ky prej 46 faqesh, që i është dorëzuar delegacionit të EEAS-it.
Më 18 tetor, Bajrami thotë se gjetjet u janë dërguar të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s.
“Më 20 tetor, raporti preliminar (51 faqe) iu dërgua BE-së, NATO-s dhe të gjitha shteteve të tyre anëtare. Gjatë dhjetorit 2023 dhe gjatë periudhës janar-shkurt 2024, u ndanë versionet e përditësuara të raportit. Informacionet e përfshira në këto dokumente janë faktike, të vërtetuara dhe bindëse përtej dyshimit të arsyeshëm” shkroi Bajrami në profilin e tij në “X”.