Bashkimi Evropian është deklaruar të hënën se autoritetet e Kosovës në këtë rast, policia ka mandat për t’i hetuar sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndërsa Serbia është e obliguar të bashkëpunojë pa kushtëzime.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur rreth përgjegjësisë që e ka marrë tashmë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq për sulmin, dhe a do të ndihmojë Bashkimi Evropian që ai të ekstradohet në Kosovë. Stano theksoi se blloku evropian pret bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre.
“E kemi parë qartë se çfarë tha zotri Radojiçiq për përfshirjen e tij në ngjarjet shumë fatkeqe të 24 shtatorit dhe Bashkimi Evropian ishte shumë i qartë, e tha Përfaqësuesi i Lartë, dhe pastaj ne e përsëritëm disa herë. Të gjitha faktet duhet të vërtetohen. Kjo duhet të hetohet në mënyrë të duhur dhe në këtë kontekst presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia, kjo është shumë e rëndësishme. Në pjesën e dytë të pyetjes dhe sa i përket hetimeve, etj., e kam përsëritur edhe shumë herë se ne nuk po e bëjmë angazhimin tonë në lidhje me këtë sulm terrorist përmes mediave. Jemi në kontakt me partnerët dhe shkëmbejmë mendimet dhe qëndrimet tona, por sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, EULEX-it nuk i nevojitet një zëdhënës specifik nga autoritetet e palës tjetër. EULEX-i ka zyrën e vet për shtyp dhe zyra e shtypit ka reaguar shumë qartë se cili është roli i EULEX-it dhe cili është mandati i EULEX-it. Mandati i EULEX-it është monitorimi i situatës dhe ofrimi i ndihmës për policinë e Kosovës sipas kërkesës. Mandati i EULEX-it nuk përfshin hetime”, tha Stano në një konferencë për media online.
Sa i përket masave të BE-së ndaj Serbisë, ai tha se duhet parë rezultatin përfundimtar të hetimit në Banjskë.
“Çdo ditë zbulon diçka të re. Çdo ditë sjell një tjetër provë. Kemi thënë vazhdimisht se nuk po komentojmë çfarë sjell e përditshmja. Ne duhet të shohim rezultatin përfundimtar të hetimit, hetim të duhur, të plotë, duke sqaruar të gjithë kontekstin, të gjitha rrethanat rreth sulmit terrorist dhe ngjarjeve të ngjashme. Dhe këtu presim bashkëpunimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Serbisë në këtë drejtim. Kjo është shume e rëndësishme. Bashkimi Evropian e tha shumë qartë, ne e thamë më 19 shtator dhe e kemi përsëritur shumë herë më pas, Bashkimi Evropian është i gatshëm të caktoj masa edhe ndaj Serbisë, nëse shtetet anëtare vendosin që kanë informacion të mjaftueshëm, fakte të mjaftueshme dhe se ata do të reagojnë në momentin e zgjedhjes së tyre”, theksoi ai.
Për më tepër ai nuk ka lënë asnjë dyshim se mandatin për ta hetuar rastin e Banjskës e kanë autoritetet e Kosovës.
“Asnjëherë nuk po diskutojmë publikisht për procedurat në vazhdim. Pra, siç ka qenë rasti me masat ndaj Kosovës, i kemi shpallur pasi janë marrë vesh dhe pasi ka pasur konsensus se si të veprohet nga ana e BE-së, kështu është edhe në vlerësimin e situatës tani. Shtetet anëtare, kur të ndiejnë se ka ardhur koha, do të marrim një vendim se çfarë po ndodhte në veri të Kosovës më 24 shtator dhe si dëshiron të reagojë BE-ja në mënyrë unanime, sepse kjo është ajo që ne bëjmë, ne reagojmë në unitet dhe unanimitet. Kjo ka ndodhur në Kosovë, kështu që sigurisht që hetimi është kompetencë e policisë së Kosovës me të cilën kemi bashkëpunim shumë të mirë. Policia e Kosovës është në kontakte shumë të ngushta me misionin tonë EULEX, EULEX-i po jep mbështetje brenda mandatit të tij me kërkesë të policisë së Kosovës, por të gjithë ata që mund të kontribuojnë në sqarimin e asaj se çfarë ka ndodhur, rrethanat, si ka ndodhur dhe kush, jo vetëm e ka ekzekutuar këtë sulm brutal, por edhe kush qëndron pas këtij sulmi, çdo kontribut për këtë është i mirëpritur. Dhe këtu e përsëris se presim bashkëpunim të plotë transparent dhe të pakushtëzuar edhe nga Serbia”, theksoi Stano.
Ndërsa, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës kanë prezantuar të dielën dëshmi të reja, për siç theksuan ata të patjetërsueshme për lidhjen e shtetit serb dhe presidentit Aleksandër Vuçiq me sulmin terrorist në fshatin Banjksë të Zveçanit.
Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, e diel, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë nga një sulm terroristësh serbë në Banjskë të Zveçanit.