UBT News

Stano për deklaratat e Vuçiqit ndaj Kurtit: Presim sjellje evropiane, jo deklarime që çojnë në tensione

Presidenti i Serbisë, dje e quajti kryeministrin e Kosovës “ndyrësirë terroriste” dhe krejt ky fjalor erdhi pas emërimit të Nenad Rashiqit, ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, pas dorëheqjes së Goran Rakiqit të Listës Serbe.

Për këtë çështje ka folur zëdhënësi i BE-së, Petar Stano, i cili tha se pret sjellje evropiane nga të dyja palët.

“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin sjellje evropiane kur kemi të bëjmë me retorikën dhe ballafaqimin me problemet me aksionet dhe për tentimin e gjetjes së zgjidhjeve”, tha Stano në një paraqitje për mediat, raporton Klankosova.tv.

Ajo që ka ndodhur dje në Kosovë (me emërimin e Rashiqit), Stano tha se “është diçka që e kemi komentuar edhe dje dhe kemi thënë se mendojmë që korniza e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, besimi i ndërsjellë është i rëndësishëm”.

“Dhe thamë qartë se në këtë kontekst në lidhje me emërimin e Nenad Rashiqit si ministër në qeverinë është vital që të gjitha emërimet ministrore të bëhen në pajtim me kushtetutën e Kosovës. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare i bëjnë thirrje Kosovës që të respektohen tërësisht të gjithë hapat proceduralë për emërimin e ministrave që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë. Leximi preliminar i yni i emërimit të djeshëm është se ky emërim nuk i përmbush kërkesat kushtetuese. Por kjo natyrisht varet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që të përcaktojë dhe të pajtohet se Kushtetuta është pjesë kyçe e sundimit të ligjit që ne presim nga Kosova ta zbatojë”, deklaroi Stano.

Edhe më me rëndësi në këtë situatë, tha më tej zëdhënësi i BE-së, është “situata tashmë fragjile” në Kosovë, teksa përmendi zhvillimet e fundit në vend para arritjes së marrëveshjes për targat.

“Jemi në një situatë që eskaloi, që çoi në eskalime shumë të forta, më të fortat në shumë vite, të cilën BE-ja e shfrytëzoi për të bërë thirrje te Kosova dhe Serbia të qetësohen dhe të përmbahen nga provokimet. Situata e sigurisë në terren është shumë fragjile, dhe duhet pasur parasysh këtë. Çdo veprim që do të, ose mund të çojë në tensione të rritura, edhe më të rritura, duhet të shmanget, dhe në këtë kontekst, gjëja e fundit, më lejoni të përsëris thirrjen e BE-së dhe të 27 shteteve anëtare ndaj të dyja palëve, është që të punojnë menjëherë drejt kthimit të serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës në pajtim me marrëveshjet obliguese të dialogut. Dhe kur flasim për Ballkanin Perëndimor, ne veçse i kemi caktuar pritjet, dhe mendoj se është e nevojshme të përsëritet se sa i rëndësishëm është Samiti në Tiranë. Për herë të parë një samit i tillë po mbahet në rajon dhe nuk është e nevojshme të përsëritet se në çfarë rrethanash gjeopolitike po zhvillohet”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.

Ai ritheksoi se komuniteti evropian pret nga Kosova dhe Serbia të sillen në mënyrë evropiane.

“Nëse keni aspirata evropiane, silluni në mënyrë evropiane, që do të thotë përmbajtje nga veprime të njëanshme, nga hapa që rrisin konfrontimet, që çojnë në eskalime, dhe të përkushtoheni në gjetjen e zgjidhjeve sipas mënyrave evropiane. Kjo është pritja afatgjate evropiane që u është thënë vazhdimisht partnerëve tanë në nivele të ndryshme”, potencoi Stano në këtë paraqitje për mediat.

Ai foli edhe për vizitën e radhës të emisarit të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, duke thënë se kjo vizitë është caktuar shumë më herët, dhe nuk lidhet me emërimin e Rashiqit. /klankosova.tv/

Exit mobile version