UBT News

​Stano: Pak progres në dialog, nuk komentojmë takime të administratës serbe

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se nuk është punuar shumë për zbatimin e marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi.

Në konferencën e mbajtur sot, ai tha se kjo po ndodh për shkak të qëndrimeve të të dyja shteteve, teksa shtoi se prioriteti i bllokut është të fillojë së zbatuari marrëveshjet që janë arritur në kuadër të dialogut.

“Asnjëherë nuk i kemi shpallur agjendat e ndonjë takimi të ardhshëm në kuadër të dialogut të Beogradit të Prishtinës qoftë në nivel të kryenegociatorëve apo të nivelit më të lartë, por mund të them vetëm një gjë, për fat të keq nuk është punuar shumë në zbatimin për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve. Pra, prioriteti ynë kryesor është që ata të fillojnë të zbatojnë me mirëbesim atë për të cilën janë të përkushtuar”, theksoi zëdhënësi i BE-së.

Duke folur për atë se si po ec dialogu, Stano tha përgatitjet dhe fazat e dialogut duhen të trajtohen në procesin e punës dhe jo të komentohen pulikisht.

“Pa diskutuar hapat procedural, prioriteti më urgjent është që të sigurohemi që zbatimi të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe më pas jemi të gatshëm të komentojmë sa herë të jetë e nevojshme. Por për procedurat nuk do të hyjmë në detaje. E kemi thënë shumë herë se procesi i dialogut, përgatitja individuale, fazat individuale janë diçka që supozohet të trajtohet pikërisht në procesin e punës në nivel pune dhe jo të zhvillohet e komentohet në publik çdo ditë”, tha Stano.

Derisa është pyetur për takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq në një restorant me protagonistin e sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, Stano ka thënë se nuk i takon BE-së të komentojë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe.

“Nuk na takon ne të komentojmë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm. Mendoj se kë takoni reflekton mbi ju, para së gjithash, veçanërisht nëse është me të dyshuarin për veprime kriminale. Por kur aludoni për sulmet në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë. Jemi në pritje të raportit zyrtar përfundimtar nga hetimi dhe më pas do të shohim se si do të sigurohet llogaridhënia. Deri më tani, ne nuk kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, tha ai.

Exit mobile version