Pas kërkesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore për hapjen e urës së Ibrit për automjete ka reaguar Bashkimi Evropian duke thënë se çdo vendim që merret me këtë çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se hapja e urës në Mitrovicë është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016.
“Natyrisht ne jemi shumë të interesuar të parandalojmë një krizë më shumë, ka pasur mjaft kriza tashmë, dhe shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt depërshkallëzimit. Sa i përket pyetjes suaj për urën, hapja e urës së Mitrovicës në fakt është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016, dhe përkundër përpjekjeve tona lehtësuese si Bashkim Evropian, ndër vite, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim”, tha Stano.
Sipas tij, çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut.
“Dhe duke qenë se kjo është një çështje që i përket kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, kjo është shumë e qartë. Prandaj ne vazhdojmë thirrjen tonë për të dyja palët që të ecin përpara me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në pritje, përsëri, marrëveshja për urën e Kosovës është pjesë e marrëveshjeve të arritura në dialog dy herë”, ka thënë ai.
Stano ka paralajmëruar se të gjitha detyrimet e marrëveshjeve në pritje duhet të përmbushen pa vonesë, dhe e njëjta gjë sipas tij vlen edhe për marrëveshjen për urën dhe gjithashtu për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Të gjithë këta hapa të njëanshëm, hapa të pakoordinuar po ndërmerren dhe po e zhvendosin fokusin dhe vëmendjen nga prioriteti kryesor, dhe prioriteti kryesor tani për të dyja palët duhet të jetë arritja e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shtoi Stano.
Këshilltarja komunale e Mitrovicës Veriore, Aida Doli, ka kërkuar hapjen e urës kryesore të Ibrit edhe për automjete sa më shpejtë, pavarësisht kundërshtimeve të BE-së.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore e ka mbështetur në seancën e së premtes vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve.