Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) ka mbajtur tryezën e diskutimit “Kosova dhe standardet evropiane në fushën e mjedisit – Sa garantohet e drejta e qytetarëve për pjesëmarrje në çështje mjedisore”.
Liridon Salihi, hulumtues në GLPS, tha se Kosova duhet që të përfarojë ligjet me BE-në sa i përket çështjeve të mjedisit.
“Në kuadër të projektit GLSP ka mbajtur edhe trajtime lidhur me legjislacionin mjedisor. Kosova si shtet anëtar duhet të afrojë legjislacionin e saj me BE. Çështjet mjedisore rregullohen nga akte më të larta juridike”, deklaroi ai.
Përderisa Linda Çavdarbasha, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Mjedisit tha se sa i përket legjislacionit deri diku jemi afër me standardet e BE-së. Por sipas saj, problematike mbetet implementimi i tyre, duke e vlerësuar kontributin e qytetarëve në mbrojtjen e mjedisit.
“Raporti e ka një temë të rëndësishme që trajton pjesëmarrjen e qytetarëve në draftimin e ligjeve. Sa i përket legjislacionit deri diku është i përafruar me standardet e BE. Mundohemi që t’i përfarojmë sa më shumë ligjet. Kemi probleme sa i përket implementimit të ligjit, por këto probleme duhet të adresohen. Ne kemi kërkuar që të bëhet testimi i raporteve të vlerësimit në mjedis. Ne kemi kërkuar krijimin e një komisioni që do ta bëjë vlerësimin në mjedis. Qytetarët kanë reaguar pas dëmit në mjedis andaj duhet të ndalohet para se të bëhet investimi në rast se është i dëmshëm për mjedis. Edhe qytetarët kanë filluar kohëve të fundit në mbrojtje të mjedisit ku edhe Qeveria e ka prioritet”, deklaroi ajo.
Egzona Shala-Kadiu, drejtoreshë e organizatës “ECO Z”, tha se ka munguar përfshirja e qytetarëve në përgatitjen e ligjeve. Madje sipas saj, përfshirja e qytetarëve në shumicën e rasteve ka qenë fiktive.
“Ndër arsyet që mungojnë janë informimi jo adekuat i qytetarëve. Pjesëmarrja dhe përfshirja në ligjvënie. Përfshirja e qytetarëve në shumicën e rasteve ka qenë fiktive. Tashmë me ligjin e ri po besojmë se kjo do të përfshihet dhe të kthehet besimi te qytetarët. Ajo çka mungon është një mekanizëm adekuat i publikut”, deklaroi ajo.
Valon Raka nga shoqëria civile tha se problem është edhe mungesa e organizatave joqeveritare sa i përket mjedisit.
“Ne merremi me mjedis dhe mungon një kulturë. Ne kemi punuar shumë të ngrisim vetëdijen e qytetarëve. Edhe komuniteti i biznesit heziton të marrë pjesë në këto çështje. Duhet të ketë një mekanizëm që përfshinë këto palë interesi. Edhe gjendja globale dhe aktivizimi qytetar duhet të jetë më i fuqishëm. Kishte mirë me qenë të përfshirë në grupin e gjelbër dhe të keni bashkëpunim me shoqërinë civile”, deklaroi ai.