Sri Lanka kërkon nga fermerët të mbjellin më shumë oriz për të shmangur mungesën e madhe ushqimore, tha një zyrtar i lartë të martën, pasi ekspertët paralajmëruan për një rënie prej 50% të prodhimit që do të përkeqësonte krizën tashmë të rëndë financiare.
Sri Lanka po përballet me krizën më të madhe në shtatë dekada. Ishulli prej 22 milionë banorësh ka mbetur pa rezerva valutore dhe nuk është në gjendje të paguajë për importet kritike, përfshirë karburantin, ushqimin dhe ilaçet.
“Është e qartë se situata po përkeqësohet. Ne u kërkojmë të gjithë fermerëve të kultivojnë sa më shumë oriz”, deklaroi Ministri i Agrikulturës, Mahinda Amaraweera në një konferencë për media të martën.
Kryeministri i ri i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe ka paralajmëruar për mungesë të madhe ushqimore deri në muajin gusht dhe vlerëson se 600 milionë dollarë do të nevojiten për të importuar plehra.
Ekspertët e bujqësisë kanë paralajmëruar se shumica e plehrave do të mbërrijnë shumë vonë për ciklin e ardhshëm të kultivimit që zakonisht fillon në muajin qershor. Në dy sezonet e ardhshme, sasi të mjaftueshme të plehrave nuk do të jenë të disponueshme për të përmbushur kërkesat për lëndë ushqyese të ndonjë prej kulturave kryesore të orizit, çajit dhe misrit./UBTNews/