Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka thënë se Kuvendi i Kosovës së bashku me kompaninë Schafberger shkelen Ligjin e punës, Ligjin e grevës dhe kontratën kolektive në rastin e punëtorëve teknike në Kuvendin e Kosovës.
Sindikata ka renditur disa nga shkeljet duke iu referuar raportit zyrtar të inspektoratit të punës.
“1.Këto punëtore duhet të kenë kontrata të punës së përhershme. 2. Edhe po të ndërrohej kompania këto duhet të jenë punëtore të paprekshme në Kuvend. 3.Kompania ka bërë shkelje ligjore edhe në procesimin e pagave për muajin tetor 2024. 4. Kompania nuk ka mundur tua shkëpus marrëdhënien e punës punëtoreve që ishin në grevë dhe shume parregullsi tjera”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Derisa në raport sipas sindikatës thuhet se kompania ka afat 3 ditë për evitimin e këtyre parregullsive dhe këto punëtore t’i kthej në vendet e tyre të punës. Në të kundërtën sipas raportit pason dënimi nga Inspektorati i punës.
Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në grevë në shenjë proteste për shkak të pagave të ulëta.Kërkesa kryesore e tyre është rritja e pagës në 550 euro.