Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës ka shprehur pakënaqësi për trajtimin e sektorit privat nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate, në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë Kurti se po “sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik”.
Ai ka kërkuar që të ndihmohet edhe sektori privat, sepse, siç tha ai, buxheti i Kosovës u takon të gjithëve, e jo vetëm sektorit publik.
“Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, punëtorët që mirëmbajnë këtë zyre, paguhen 180 euro. Kjo është shumë shqetësuese për ne. Këto paga të ulëta vijnë nga Qeveria e Kosovës. Në vend që Qeveria ta motivojë sektorin privat për paga më të larta, është ajo që i paguan kaq pak punëtorët teknikë. Qeveria po sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik, e jo ata të sektorit privat. Buxheti i Kosovës është buxhet i të gjithëve. Klasa më e pasur, ajo e sektorit publik u financua, e pikërisht ajo që është më e varfër jo”, u shpreh Azemi.
Azemi tha se kërkesa e Sindikatës është rritja e pagës minimale në 450 euro.
“Kërkesa jonë është që paga minimale të jetë 450 euro. E kemi një pagë minimale që ne mendojmë qe duhet të zyrtarizohet nga Qeveria. Kanë premtuar por nuk e kanë realizuar. Kërkesë imediate e jona është që të gjithë punëtorët të paguhen komfort ligjit të pagave. Ne nuk heqim dorë, ne jemi të Kosovës dhe i shërbejmë shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.
Azemi tha se 92 mijë punëtorë kanë ikur nga Kosova me leje pune. Sipas tij, gjatë këtij viti shumë projekte do të ndërprehen në mungesë të punëtorëve.