UBT News

Spotify prezanton funksion të ri për krijimin e playlistave më profesionale

Spotify ka prezantuar një funksion të ri që u lejon përdoruesve Premium të krijojnë playlist-a më profesionale dhe të personalizuara. Tani, përdoruesit mund të shtojnë automatikisht ose manualisht kalime (transicione) mes këngëve në një playlist, duke përdorur stile të gatshme si fade, rise apo blend, si dhe opsione të tjera shtesë.

Për të përdorur këtë funksion, mjafton të hapni një playlist dhe të zgjidhni butonin “Mix” në shiritin e veglave për të filluar redaktimin. Gjatë personalizimit, mund të rregulloni gjithashtu volumin, efektet, ekuilibrin e zërit (EQ), dhe të përdorni pamjen vizuale të valëve dhe ritmit të këngëve për të zgjedhur pikën më të mirë të kalimit.

Spotify njofton se do të shfaqë automatikisht tonalitetin dhe ritmin (beats per minute) për çdo këngë, për ta bërë më të lehtë përdorimin edhe për fillestarët që nuk kanë përvojë në miksim audio.

Ky funksion i ri është krijuar për të tërhequr ata përdorues që krijojnë lista me kujdes – një kategori që, sipas kompanisë, ka krijuar deri më tani rreth 9 miliardë playlist-a në platformë.

Lançimi i këtij opsioni vjen si pjesë e një sërë përditësimesh që Spotify ka sjellë gjatë vitit të fundit, për të rritur kontrollin e përdoruesve mbi përvojën e dëgjimit – përfshirë mjete për shtimin, renditjen dhe redaktimin e playlistave, personalizimin e listës Discover Weekly, opsionin snooze për këngë, kërkesat me zë për DJ-në me inteligjencë artificiale, dhe të tjera.

Ky zhvillim e vendos Spotify-n në konkurrencë të drejtpërdrejtë me funksionin AutoMix të Apple Music, i cili aktualisht është në versionin beta të iOS 26 dhe premton miksim “si një DJ”.

Përdoruesit Premium që kanë qasje në këtë funksion, mund të ruajnë dhe ndajnë playlist-at e miksuara me miqtë në rrjete sociale, ose t’i ftojnë ata për të bashkëpunuar në krijimin e një miksimi të përbashkët.

Opsioni “Mix” mund të aktivizohet ose çaktivizohet në çdo moment, duke ju lejuar ta ktheni playlist-ën në versionin e zakonshëm kur, për shembull, përfundon një festë apo një seancë në palestër.

Exit mobile version