Dy persona janë arrestuar nga policia e Kosovës të mërkurën në Ferizaj. Prokuroria Speciale njoftoi se pas hetimit disamujor në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë, ata dyshohen për veprën penale “spiunazh”. Këta persona dyshohet se kanë punuar për BIA-në serbe.
Ish-hetuesi policor, Hilmi Canolli, për UBTnews thotë se Serbia çdo herë luftën e ka bërë që të siguroj spiunë në institucionet kosovare.
“Serbia çdo herë, luftën e ka bo për të siguruar spiunë apo njerëz të cilët punojnë në institucionet e Kosovës që nuk është diçka e re. Qysh prej përfundimit të luftës, por edhe më herët kanë qenë të saktë njerëzit qoftë kulturore apo edhe patriotike. Serbia nuk ka rresht as nuk do të rresht asnjëherë duke sulmuar Kosovën në çfarëdo forme, se a janë të rekrutuar këta dy persona apo jo nuk mund të themi në këtë fazë për arsye se ka vetëm dyshime”, deklaroi ai.
Ndërsa edhe ish-ushtaraku, Hysen Gecaj, është shprehur se këto organe dhe rrjeti serb nuk janë për t’u nënçmuar.
“Organet e sigurisë serbe ende po veprojne ne koosve dhe ky rrjetë i këtyre është funksional dhe nuk është për të e nënçmuar pa marrë parasysh që këta dy persona kohët e fundit nuk kanë punuar në institucionet e kosoves megjithatë është e mundur pra nuk duhet të paragjykojmë, por kur themi se është e mundur që edhe ata të kenë një shtrirje pra të kenë bashkëpunëtor të tjerë nga të cilët kanl marrë informatat dhe ato informata i kanë këmbyer të organeve serbe të sigurisë”, deklaroi ai.
Canolli thotë se agjentë të tillë mund të jenë të infiltruar në çdo strukturë shtetërore.
“Ne vetëm po i shohim dëmet të cilat po shkaktohen çdo ditë e më tepër nga agjentët e huaj, nga persona të ndryshëm, qoftë në aspektin ndërkombëtar, qoftë edhe ato vendor. Ne jemi unë si-pjesëtar i Policisë së Kosovës rreth 21 vite kemi pasur edhe raste kur edhe ndoshta edhe operacionet policore kanë dështuar kanë qenë edhe të njohura edhe për opinionin për shkak të informacioneve që kanë dalë nga personat të ndryshëm qofshin ata të komunitetit shqiptar, serb apo edhe të komunitetit të tjera. Kështu që agjentët mund të jenë të inflirtuar në çdo strukturë qoftë shtetërore të sigurisë, por edhe të politikës së Kosovës, kjo nuk është ndonjë risi”, shtoi ai.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se në dy lokacionet e dy shtetasve kosovarë që u arrestuan për spiunazh në Ferizaj, janë konfiskuar armë, municione dhe maska ushtarake gazi./UBTNews/
Teksti: Dea Berisha