Spitali “Sheika Fatima”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është bërë edhe me një laborator të ri, i cili do të mundësojë kryerjen e shumicës së analizave brenda vetë spitalit pediatrik.
Në një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës është bërë e ditur se ky laborator është donacion i “Khalifa Foundation”.
“Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve”, thuhet në komunikatë.
Po aty, thuhet se një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave.
Sipas komunikatës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për Emiratet e Bashkuara Arabe, “për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”.