UBT News

​Spiropali: Të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende statusin e vendit kandidat

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali deklaroi se Kosova shpejt do të jetë një flamur më shumë në selinë e OKB-së dhe një yll në flamurin evropian. Ajo tha se Tirana zyrtare është e brengosur që Kosova ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve në Prishtinë, kryeparlamentarja tha se shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin drejt shoqërisë moderne.

Po ashtu, ajo foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për çka tha se duhet të ketë rezultat nënshkrimin e marrëveshjes së detyrueshme ligjore.

Ne që po takohemi jemi pak, duhet të ishim më tepër. Duhet të ishim me mijëra, me qindra mijëra dhe prapë pak janë. Duhet të takohemi të gjithë, aq sa jemi, aq sa shqiptarë ka bota, me miliona. Aq shqiptarë sa ka bota nuk prishin punë, përkundrazi, nuk prish punë se nuk na zë kjo sallë. Ka salla të tjera që na zënë. Janë fushat, pllajat, luginat ku mundemi me u taku, me u çmall e me u mirëkuptu me njëri tjetrin. Përmetari ta takojë e ta përqafojë prishtinaliun, gjakovari labin, mitrovicaliu vlonjatin e kështu me radhë. Derisa toka të dridhet nën këmbët tona, derisa Zoti të habitet, derisa Adem Jashari të lëviz në varr, derisa bota ta mësoj se cilët jemi e çfarë mundemi të bëjmë kur jemi bashkë. Halli është se me arrit deri tek super-takimi, me e realizu hiper-bashkimin duket herët, duhet me prit. ‘Kur s’ke pulën, duhet me ngrënë shpend tjetër’, thotë populli. Po doni ju që edhe ky shpend qenka fort i shijshëm sot në këtë takim”, deklaroi Spiropali.

Më tej, ajo tha se marrëveshja e nënshkruar mes kuvendeve në vitin 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin.

Kryeparlamentarja Spiropali tha se Kosova është prioritet i Shqipërisë dhe se suksesi i njërës republikë është kusht i parë i domosdoshëm edhe për republikën tjetër.

Shqipëria ka mbërritur në dyert e Bashkimit Evropian pas një udhëtimi sfilitës, shpesh të mbushur edhe me zhgënjime e prapa kthime. Si vendi kandidat me shpejtësinë më të madhe integruese, Shqipëria është ai vendi i rajonit që e ka merituar më tepër se çdo vend tjetër anëtarësimin në familjen tonë të natyrshme evropiane. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade është objektivi ynë strategjik kombëtar”, shtoi ajo.

Megjithatë, ajo deklaroi se Tirana zyrtare është e brengosur që Kosova se ka fituar ende statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Ne jemi të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende këtë status, që sipas një gjykimi të përgjithshëm e ka merituar më herët. Ne nxisim pesë vendet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende, të pranojnë se çfarë mund të bëhet tani, nuk është mirë të lihet për më vonë, se herët a vonë është e qartë që Kosova do të jetë edhe një Flamur më shumë në selinë e OKB-së dhe një yll më shumë në flamurin evropian. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj si anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës është vetëm çështje kohe dhe do të ndodhë shpejt”, përfundoi ajo.

Sfidat e Kosovës, siç theksoi ajo, janë edhe të Shqipërisë që burojnë nga e drejta e natyrshme dhe kushtetuta.

Exit mobile version