UBT News

“Spider-Man: Brand New Day” mbetet i pari në kinema, fiton më shumë se 60 milionë euro

Filmi “Spider-Man: Brand New Day” ka ruajtur vendin e parë në kinematë amerikane, duke arkëtuar rreth 60 milionë euro gjatë fundjavës së tretë të shfaqjes.

Filmi i Sony dhe Marvel, ku Tom Holland rikthehet në rolin e Peter Parkerit, vazhdon suksesin edhe në tregun ndërkombëtar, duke kaluar shifrën prej 1,7 miliardë eurosh të ardhura globale.

Sipas të dhënave të publikuara, “Spider-Man: Brand New Day” është bërë një nga filmat më të shpejtë që ka kaluar këtë shifër, menjëherë pas filmit “Avengers: Endgame” të vitit 2019.

Në vendin e dytë është renditur “The Odyssey”, me rreth 20 milionë euro të arkëtuara gjatë fundjavës së pestë të shfaqjes. Filmi epik i Universal, i bazuar në tregimin e lashtë grek, ka vazhduar suksesin edhe në tregjet ndërkombëtare, duke debutuar së fundmi edhe në Kinë.

Ndërkohë, dy filma të rinj kanë debutuar në listën e box-office. “The End of Oak Street”, me Anne Hathaway dhe Ewan McGregor në rolet kryesore, është renditur në vendin e tretë me rreth 18 milionë euro të ardhura.

Në vendin e katërt ka përfunduar filmi i animuar “PAW Patrol: The Dino Movie”, me rreth 17,7 milionë euro të arkëtuara në Amerikën e Veriut.

Në pjesën tjetër të listës janë dokumentari “Katseye: Wild Hearts” dhe “Six: The Musical Live”, ndërsa komedia “One Night Only” nuk ka arritur të përmirësojë rezultatet, duke shënuar një rënie të ndjeshme të të ardhurave në fundjavën e dytë.

Suksesi i filmave të mëdhenj këtë verë ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të shitjes së biletave në kinema, duke i dhënë Hollywood-it një përfundim të fuqishëm të sezonit veror./A.K/

Exit mobile version